KryesoreLajme

E tmerrshme: Profesori i shkollës së mesme denoncohet për ngacmim seksual ndaj nxënëses 17-vjeçare

Nuk janë të rralla rastet kur nxënëset kosovare ngacmohen e sulmohen seksualisht nga mësimdhënësit e tyre. E një rast i tillë është raportuar në komunën e Gjakovës, ku një mësimdhënës i shkollës të mesme Ekonomike “Kadri Kusari” dyshohet ta ketë ngacmuar seksualisht nxënësen e tij.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se mësimdhënësi I.M. para rreth një jave dyshohet se e ka ngacmuar seksualisht një nxënëse të mitur.

17-vjeçarja e ka denoncuar rastin në Policinë e Kosovës, e cila në prani të prindit ka dhënë deklaratën në lidhje me rastin. E mitura ka deklaruar që profesori e ka ngacmuar seksualisht në vazhdimësi dhe këto veprime janë përsëritur herë pas here.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore janë aktivizuar dhe kanë ftuar të dyshuarin të paraqitet në stacion për intervistim lidhur me veprën për të cilën ngarkohet ku i dyshuari është vetëparaqitur në Polici.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se prokurori ka urdhëruar që mësimdhënësi të hetohet në liri për t’u hetuar në procedurë të rregullt dhe ndaj tij është inicuar rasti si “Ngacmim seksual”.