Lajme

E tmerrshme në Prishtinë: 9-vjeçarja dyshohet se u sulmua seksualisht nga një 25-vjeçar, arrestohet i dyshuari

Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Në shumë raste, viktima janë vajzat e mitura, të cilat keqpërdoren seksualisht qoftë nga bashkëmoshatarë apo edhe persona të moshës madhore, raporton Gazeta Sinjali

Një rast i tillë dyshohet të ketë ndodhur të hënën në rrugën “Muharem Fejza” në Prishtinë, ku një vajzë e mitur dyshohet është sulmuar seksualisht nga një person i moshës madhore.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për një vajzë 9-vjeçare, teksa i dyshuari është një 25-vjeçar, i cili dyshohet se ka pasur qëllim seksual ndaj të miturës.

Pasi Policia është vënë në dijeni për rastin, e mitura ka dhënë dëshminë e saj para hetuesve policorë, në prani të prindit të saj.

Pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm seksual’.