Lajme

E tmerrshme: Mori taksinë për t’u kthyer në shtëpi, shoferi dyshohet se dhunoi vajzën e mitur

Rastet e ngacmimeve, sulmeve e dhunimeve seksuale kanë marrë përmasa të frikshme në vend. Në shumë prej rasteve të tilla, viktima janë vajzat e mitura, të cilat përpos që keqpërdoren seksualisht nga persona të moshave madhore, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tmerrshëm dyshohet të ketë ndodhur mbrëmë në lagjen Çamëria në Kamenicë, ku viktimë është sërish një vajzë e mitur.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në orët e vona të mbrëmjes, kur viktima kishte marrë një taksi për t’u kthyer në shtëpinë e saj.

Bazuar në dëshminë e viktimës dhënë organeve të hetuesisë, shoferi i taksisë fillimisht i ka dhënë komplimente për dukjen e më pas ka devijuar rrugën duke e dërguar në një vend në dalje të qytetit.

E aty dyshohet të ketë filluar tmerri për vajzën e mitur, pasi 23-vjeçari dyshohet se ka puthur me forcë në buzë viktimën e më pas ka vazhduar në pjesë intime të trupit.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku është përballur me denoncimin kundër tij.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.