Lajme

E tmerrshme: Dhunohet 20-vjeçarja në Prishtinë, i dyshuari i hodhi diçka në pije dhe e dërgoi në motel

Të miturat janë viktimat më të shpeshta të ngacmimeve seksuale, sulmeve seksuale e dhunimeve në Kosovë. Raste të tilla dhe mjaft të trishta po tronditin familjet e tyre, që kërkojnë ndihmë dhe mbrojtje nga institucionet. Personat që po dyshohen se po i keqpërdorin vajzat shumë herë po dalin të jenë edhe të dashurit e tyre, apo persona me të cilët kanë njohje, raporton Gazeta Sinjali.

Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur para dy ditësh në një lokal në Prishtinë, Prokuroria tashmë ka nisur hetimet pas denoncimit të një vajze 20-vjeçare, e cila ka kërkuar ndihmë, pasi dyshohet se është dhunuar.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se gjithçka dyshohet se nisi pasi viktima ishte në kafeteri me një person, me të cilin po kalonin kohë. Në fillim dukej se çdo gjë po shkonte mirë, por pas një kohe, atyre iu bashkë edhe një person tjetër, i panjohur për vajzën.

Nga momenti që mikut të saj i shkoi edhe shoku, ky i fundit dyshohet se i hodhi vajzës diçka në pijen e saj, duke ia përkeqësuar gjendjen, të cilën e shfrytëzoi për ta marrë nga aty me veturë. Sipas informacioneve të para, i dyshuari e ka dërguar 20-vjeçaren në motel, ku dyshohet se pa dëshirën e saj kanë kryer marrëdhënie seksuale.

Vajza ka rrëfyer para hetuesve policorë detajet që i mban mend nga ajo që kishte ndodhur, teksa akoma nuk dihen rrethanat e rastit. Megjithatë, burimet thonë se tashmë Policia dhe Prokuroria po marrin veprimet e nevojshme për identifikimin dhe sigurimin e prezencës së personit të dyshuar.