Lajme

E tmerrshme: Burri në Fushë Kosovë sulmon me thikë bashkëshorten, ushtron dhunë brutale ndaj saj

Dhuna ndaj grave ka marrë përmasa shqetësuese në vend. Zakonisht të dyshuar janë partnerët e tyre, të cilët ushtrojnë dhunë psikike e fizike ndaj tyre, ku madje në shumë raste kanë tentuar edhe t’i privojnë nga jeta. E shpeshherë këto tentativa kanë rezultuar me fatalitet për gratë, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tmerrshëm ka ndodhur dje në një familje në Fushë Kosovë, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë brutale ndaj bashkëshortes së tij.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur pas një konflikti verbal mes çiftit, ku më pas 46-vjeçari dyshohet se ka sulmuar me thikë bashkëshorten e tij.

Bazuar në dëshminë e viktimës, ajo ka arritur që të shpëtojë pa plagë nga mjeti i mprehtë, por i shoqi e ka rrahur keq duke i shkaktuar lëndime trupore.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.