Kryesore

E tmerrshme: 29-vjeçari në Istog tentoi ta dhunojë vajzën e axhës, i ofroi para në këmbim të seksit – arrestohet

Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë vajzat dhe gratë të cilat raportojnë në Polici se janë keqpërdorur seksualisht nga persona të panjohur, por shpesh herë të dyshuar janë edhe persona të afërm të tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tmerrshëm dyshohet të ketë ndodhur në fshatin Llukaca e Begut në Istog, ku një person dyshohet se ka tentuar ta dhunojë seksualisht vajzën e axhës së tij, e cila është e mitur.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se të gjithë tmerrin e përjetuar, viktima e ka rrëfyer para hetuesve policorë në prezencën e zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale.

Bazuar në dëshminë e saj, 29-vjeçari mbrëmjen e së martës e kishte thirrur që të dalë mbrapa shtëpisë, ku i kishte ofruar para në këmbim të marrëdhënies seksuale. Pasi 15-vjeçarja nuk ka pranuar dhe ka tentuar që të largohet që aty, i dyshuari e ka kapur me forcë dhe me dhunë ia ka grisur rrobat duke tentuar që ta dhunojë.

Për fatin e mirë të vajzës, ajo ka arritur që të ikë që aty dhe të hyjë brenda shtëpisë, ku më pas ka njoftuar familjarët dhe bashkë me babain e saj kanë denoncuar rastin në Polici.

I dyshuari fillimisht ishte arratisur, mirëpo pas veprimeve hetimore të Policisë, Sinjali mëson se ai është arrestuar mëngjesin e sotëm dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Tentim dhunim’.

* I dyshuari është emër i njohur për redaksinë, mirëpo për shkak të ruajtjes së privatësisë së viktimës, identiteti i tij për momentin nuk është publikuar.

Fakton do të iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.