KryesoreLajme

E shtyu nxënësin dhe e detyroi të dalë nga dritarja, mësuesja në shkollën fillore denoncohet për keqtrajtim

Mësimdhënësit në shkollat fillore e të mesme në vendin tonë shumë shpesh futen në telashe me ligjin, për shkak të veprimeve të tyre që i tejkalojnë autorizimet që i kanë sipas detyrës zyrtare. Në të tilla raste viktima janë nxënësit e mitur të cilët keqtrajtohen nga mësimdhënësit e tyre, që e keqpërdorin detyrën, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se për një rast të tillë kanë nisur hetimet nga një mësueseje në shkollën fillore “8 Dëshmorët” në fshatin Kralan të Gjakovës, e cila është denoncuar nga drejtoresha e Arsimit në këtë komunë.

Sipas informacioneve të para, Sinjali mëson se mësuesja L.M., po dyshohet se e në fund të muajit janar, ka keqtrajtuar një nxënës, ndaj të cilit ka ushtruar dhunë fizike. Ditën që ndodhi rasti, fëmija ishte detyruar të dalë nga dritarja e klasës dhe më pas e njoftoi familjen e tij.

Rasti u zbulua kur prindërit e nxënësit e raportuan rastin në drejtori e më pas u ndërmorën masat e tjera në nivel komunal.

Të njëjtat burime thonë se së shpejti pritet të ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore ndaj mësueses së dyshuar për veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Ndryshe, kjo vepër është e dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. ”Kur vepra penale kryhet ndaj fëmijës, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.”