E shtunë e kobshme: Tre persona vdiqën tragjikisht, në mesin e tyre edhe fëmija 5-vjeçar nga Vushtrria
Dita e shtunë ishte e kobshme për disa familje në vendin tonë, që humbën tragjikisht më të dashurit e tyre. Një vogëlush 5-vjeçar në Vushtrri, një grua në Obiliq e një punëtor nga Komorani vdiqën dje në rrethana të dyshimta. Këto raste kanë tronditur familjet e tyre, të cilët me dhimbje e pikëllim të madh morën lajmet e trishta.
Rasti i Vushtrrisë ishte jashtëzakonisht i rëndë. Pasditen e djeshme në fshatin Begaj të Vushtrrisë, në rrethana akoma të paqarta, një fëmijë i moshës 5-vjeçare u plagos me armë zjarri dhe si pasojë ndërroi jetë në Emergjencën e Spitalit.
Djali i familjes Krasniqi, ishte dërguar në Emergjencë me plagë në kokë, e cila dyshohet t’i jetë shkaktuar nga një armë e zjarrit, por që nuk dihet ende se kush e shkrepi.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se në kuadër të veprimeve hetimore janë marrë deklaratat e familjarëve të viktimës dhe bazuar në dëshmitë e tyre, viktima në momentin kritik ka qenë në oborrin e shtëpisë duke luajtur me vëllain e tij 4-vjeçar.
Të njëjtit kanë deklaruar se në një moment kanë dëgjuar një krismë arme dhe posa kanë dalë jashtë, kanë gjetur të voglin të gjakosur, teksa pohojnë se nuk e dinë si ka arritur që ai ta marrë armën e zjarrit dhe as rrethanat tjera se si ka ndodhur rasti.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të cilët kanë gjetur dhe sekuestruar një predhë dhe një fishek dhe Sinjali mëson se po ashtu disa dhjetëra metra larg vendit të ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar arma e zjarrit që dyshohet se u përdor në rast.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vdekje e dyshimtë’ dhe trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ndërkohë edhe një familje në Obiliq e përjetoi rëndë vdekjen e familjares së tyre, 31-vjeçare, e cila dyshohet se i dha fund jetës, duke bërë vetëvrasje me armë të zjarrit.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se viktima u transportua me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe ndonëse ishte me shenja jete, ajo nuk ka arritur që të përballojë plagën e marrë dhe si pasojë ka ndërruar jetë në spital.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme dhe në kuadër të veprimeve hetimore kanë marrë dëshmitë e tre dëshmitarëve.
Viktima në momentin kritik ka qenë vetëm në shtëpi me fëmijët e saj të mitur, teksa dyshohet se aktin e rëndë e ka kryer me pushkën e gjuetisë së vjehrrit. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar arma që dyshohet se u përdor në rast.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion dhe rasti është cilësuar ‘Vetëvrasje’.
Edhe në Kamenicë ndodhi një ngjarje goxha e trishtë, vdekja e një punëtori 45-vjeçar nga Komorani i Drenasit.
Edhe pse rastet e lëndimeve të punëtorëve në vendet e punës nuk janë të rralla, kushtet nëpër kompanitë private po vazhdojnë të jenë të këqija, e ku prej të cilave po pësojnë më së shumti punëtorët.
Kujtim Ibriqi, nga Komorani i Drenasit ishte punëtor i kompanisë ‘Euroing’ nga Rahoveci. E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 13:00 ku derisa po punonte në sallën e sporteve në Koretin, ku gjatë punimeve, Ibriqi është rrëzuar nga skelet e ndërtimit dhe ka marrë lëndime të rënda.
Ndonëse ai u dërgua me shpejtësi në Emergjencën e Kamenicës e më pas edhe në Gjilan, 45-vjeçari s’arriti t’i përballojë plagët e marra.
Ndërkohë edhe familjarët e të ndjerit kanë dhënë njoftimin mortor, ku bëhet e ditur se varrimi do të bëhet sot në orën 15:00 në varrezat e Komoranit.
Ndryshe, me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse’ dhe ‘Rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’.