Lajme

“E sheh kush jom unë…”, 42-vjeçari çartet pasi u ftua për t’u paraqitur në Polici, kërcënon zyrtarin policor

Zyrtarët policorë, duke përfshirë edhe grada të larta jo rrallëherë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë cak i kërcënimeve nga persona e grupe të ndryshme, që në shumicën e rasteve motivet lidhen edhe me punën e tyre zyrtare. Ngjarje të tilla ndodhin gjatë kohës kur policët janë me uniformë, por edhe jashtë detyrës zyrtare, raporton Gazeta Sinjali.

Për një rast të tillë, ku viktimë është një zyrtar policor nga Policia Rajonale në Prishtinë, Prokuroria tashmë ka urdhëruar nisjen e hetimeve pas denoncimit të rastit.

Burimet e Sinjalit brenda këtij institucioni kanë bërë me dije se këtë herë është kërcënuar një polic (emër i njohur për redaksinë), nga një palë e dyshuar që ishte ftuar për t’u paraqitur lidhur me një rast.

Sipas informacioneve të para, personi që dyshohet për këtë rast, posa ka arritur në stacion policor, e ka kanosur seriozisht viktimën, ku ndër të tjera i ka thënë se “e sheh ti kush jom unë…” dhe ka vazhduar me të njëjtat fjalë.

Përballë kësaj situate, zyrtarët policorë kanë intervenuar për të marrë masat e nevojshme, por i dyshuari ka vazhduar me sjellje agresive, duke goditur edhe një tavolinë në stacion policor.

Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 48 orë dhe të ndërmerren edhe veprimet e nevojshme, brenda afatit ligjor.