“E sheh kush jom…”/ I riu në Drenas kërcënon policin që i shqiptoi gjobë për parking dhe e gris tiketën
Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.
Shkak për këtë në shumë raste janë pakënaqësitë për shqiptimin e gjobave në komunikacion. Një rast i tillë ka ndodhur të hënën në Drenas, ku është arrestuar një person.
Sinjali mëson se zyrtarët policorë të cilët po shqiptonin disa gjoba për shoferët të cilët kishin parkuar veturat e tyre në kundërshtim me rregullat në trafik, kanë hasur në telashe me një qytetar.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari në shenjë pakënaqësie ka ofenduar dhe ka kërcënuar zyrtarin policor, duke iu drejtuar me fjalët “Do ta shohësh kush jom unë…”. e më pas e ka grisur tiketën.
Përballë kësaj situate, zyrtari policor e ka arrestuar dhe shoqëruar të dyshuarin në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje ndaj personit zyrtar’.