E rëndë: Vdes në QKUK punëtori i kompanisë ‘Euro-Abi’ që u lëndua muajin e kaluar në Prishtinë
Pas më shumë se një muaji trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, sot në orët e mëngjesit ka humbur jetën punëtori i kompanisë “Euro-Abi”, që ishte lënduar teksa po punonte në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali
Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 45-vjeçar nga Sllovia e Lipjanit, i cili kishte pësuar lëndime të rënda derisa po punonte në një punishte. Përkundër intervenimeve, ai nuk ka arritur t’u bëjë ballë plagëve dhe ka vdekur sot.
Siç mëson Sinjali, viktima kishte pësuar plagë serioze pasi ishte lënduar në vinç, në një lokacion në rrugën C, ku po punonte më 13 tetor dhe më pas ishte dërguar për trajtim në QKUK.
Për rastin është vënë në dijeni edhe Policia e Prokurori i Shtetit, me urdhër të së cilit është iniciuar rasti “hetim mbi vdekjen”, teksa trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.