E rëndë: Vajza 17-vjeçare e sulmon me thikë babanë pasi s’pati cigare për t’i dhënë
Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i rëndë ka ndodhur mbrëmë në një familje në Deçan, ku një vajzë e mitur dyshohet se ka rrahur babanë e saj 45-vjeçar.
Sinjali mëson se viktima e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se e bija 17-vjeçare e ka sulmuar me thikë kuzhine pasi nuk kishin cigare për t’i dhënë, siç i kërkonte.
Si pasojë e dhunës, viktima ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar tretman mjekësor në spital, ndërkohë që e dyshuara është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor.
Me urdhër të prokurorit, e mitura është ndaluar për 24 orë dhe e njëjta do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.