Lajme

E rëndë në Vushtrri: 30-vjeçarja kërkon barna që të vetëvritet, thotë se burri i saj i harxhon të gjitha paratë nëpër kafene

Mosmarrëveshjet dhe problemet me partnerët shpesh herë bëhen shkak për shqetësim dhe gjendje të rënduar emocionale te gratë. E në shumë raste, ato mund të bëjnë veprime të ngutshme të cilat mund të kenë pasoja të mëdha për shëndetin e tyre.

Një rast i rëndë së fundi ka ndodhur në fshatin Druvar të Vushtrrisë, ku një grua ka kërkuar nga mjeku i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare t’i përshkruajë barna të cilat e fusin në gjumë dhe të njëjtit i ka thënë se dëshiron të vdes.

Sinjali mëson se motivi që shtyu 30-vjeçaren të bëjë këtë veprim dhe të ketë mendime për vetëvrasje, janë mosmarrëveshjet me bashkëshortin e saj, për të cilin ajo ka thënë se tash e 10 vite martesë ai nuk kujdeset për mirëqenien e familjes. Sipas saj, i shoqi çdo natë del nëpër kafene dhe harxhon të gjitha paratë.

Mjeku i shqetësuar nga gjendja e viktimës, ka njoftuar Policinë të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë intervistuar 30-vjeçaren.

Pas denoncimit të rastit, i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në stacion të Policisë, ku është intervistuar nga hetuesit policorë. 49-vjeçari ka pranuar se del nëpër kafene, mirëpo ka mohuar të ketë ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

30-vjeçarja ka shprehur dëshirën që bashkë me katër fëmijët e saj të shkojë në strehimore, ndërsa ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.