E rëndë: I riu në e bën nënën për spital, babai i tij kërkon ndihmën e Policisë
Dhuna në familje po vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga burrat, djemtë, vëllezërit e anëtarët e tjerë të familjes. Në shumë raste, viktima janë edhe nënat, të cilat përjetojnë dhunë nga fëmijët e tyre.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në fshatin Kryshevc të Obiliqit, ku një i ri ka sulmuar fizikisht nënën e tij, të cilës i ka shkaktuar frikë e shqetësim të madh.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur në orët e mbrëmjes, kur i dyshuari Y.K., fillimisht ka pasur një zënkë verbale me nënën, të cilën më pas e ka rrahur dhe është larguar nga shtëpia.
Sinjali mëson se gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshje mes tyre, që eskaloi nga dhuna psikike në dhunë fizike, për çka babai i të dyshuarit u detyrua që të kërkojë ndihmën e Policisë, duke e raportuar rastin.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin, kurse viktima ka marrë trajtim mjekësor.
Ndaj të riut që po dyshohet për dhunë në familje, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit ndaj tij.