E rëndë: Humb jetën edhe personi i dytë i aksidentit fatal në rrugën Kaçanik-Ferizaj
Një aksident i rëndë i shkaktuar gjatë orëve të mbrëmjes të premten e 17 nëntorit në rrugën Kaçanik-Ferizaj, ku u përfshinë tri vetura, la të vdekur një person dhe pesë të tjerë të lënduar. Sinjali mësoi se personi që humbi jetën tragjikisht në këtë aksident ishte 19-vjeçari nga Kaçaniku, Lorent Trena.
Fatkeqësisht, rreth një ditë pas aksidentit, si pasojë e lëndimeve të rënda është shënuar edhe viktima e dytë e këtij aksidenti.
Bëhet fjalë për të moshuarën, Zyrmije Raka.
“Magjistralja Fusha e Pajtimit-Kaçanik,17.11.2023-21:06. Më datën dhe kohën e lartcekur, viktima femër kosovare kishte pësuar lëndime trupore në një aksident trafiku dhe ka qenë duke marrë tretman mjekësor në QKUK-së. Më datë 18.11.2023 rreth orës 21:00 është konfirmuar se viktima e lartcekur ka ndërruar jetë. Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion.”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.