Lajme

E rëndë: Gruaja në Lipjan konsumon mbidozë ilaçesh, burri e bëri telashe pse u vonua nga puna

Vajzat e gratë kosovare vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje. Ato vazhdimisht përballen me dhunë psikike, ekonomike e fizike, duke u keqtrajtuar në forma të ndryshme. Fjalori denigrues i burrave ndaj tyre, ofendimet e sharjet të cilat i marrin, në shumë raste i detyrojnë të veprime që mund të jenë të rrezikshme për jetën e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në Lipjan, ku një grua ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital për shkak se kishte konsumuar sasi të madhe të ilaçeve për qetësim.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë marrë dëshminë e viktimës.

Bazuar në dëshminë e 36-vjeçares, bashkëshorti i saj me të cilin është e martuar që 22 vite, ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj. E gjithë kjo dyshohet të ketë ndodhur për shkak se viktima ka filluar të punojë në një qendër tregtare dhe një ditë ishte vonuar të kthehej në shtëpi.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.

Me urdhër të prokurorit, ndaj 51-vjeçarit është iniciuar rasti për veprën penale ‘Dhunë në familje’.