E rëndë: Gruaja lind para kohe si pasojë e dhunës fizike nga burri, Policia e shpall në kërkim të dyshuarin
Dhuna në familje po vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Që nga janari e deri këtë muaj, në Kosovë janë raportuar rreth 2.000 raste të tilla dhe 90 për qind e viktimave kanë qenë gratë dhe vajzat. Ato përballen me dhunë brutale kryesisht nga bashkëshortët, që në plot raste edhe kanë përfunduar tragjikisht ose me pasoja të rënda, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë dhe mjaft i trishtë është raportuar së fundmi nga një nënë lehonë, e cila është e shtrirë në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Burimet brenda QKUK-së kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 22-vjeçare, e cila u sulmua fizikisht nga bashkëshorti derisa ishte në pritje të ëmbël.
Sinjali mëson se ajo çka e bën më të rëndë rastin është se gruaja ka lindur para kohe si pasojë e dhunës fizike që bashkëshorti ka ushtruar ndaj saj, duke i shkaktuar dhimbje të mëdha dhe lindje të parakohshme.
Si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në lëvizje, me ç’rast i dyshuari është shpallur në kërkim, pasi prezenca e tij akoma nuk është siguruar.
Lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet në drejtim të veprës penale “Dhunë në familje”, teksa veprimet tjera ligjore do të ndërmerren posa të kapet i dyshuari.