E rëndë: Gjendet pa shenja jete një grua, dyshohet se kreu vetëvrasje
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në fshatin Resinovc të Lipjanit, ku një grua dyshohet se i ka dhënë fund jetës së saj.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se kanë pranuar thirrje për ndihmë rreth orës 14:30, pasi një grua ishte gjetur e varur në litar dhe e njëjta dyshohej se ishte në rrezik për jetën.
Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku pas ekzaminimeve për shenjat vitale, mjeku ka konstatuar se viktima ka ndërruar jetë.
Ndërkohë në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë policore, të cilët kanë kontaktuar me vëllain e viktimës.
Bazuar në dëshminë e tij, e ndjera është gjetur e varur në një pemë në pjesën e pasme të oborrit të shtëpisë, teksa nuk dihen ende motivet që shtynë viktimën të bëjë këtë veprim.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti është cilësuar ‘Vetëvrasje’.