E rëndë: 30-vjeçarja me aftësi të kufizuara ndërron jetë pasi u alivanos në QKM-në e Skenderajt
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj, ku një grua u alivanos dhe fatkeqësisht ka ndërruar jetë. Për vdekjen e saj, Policia tashmë ka nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.
Siç mëson Sinjali, bëhet fjalë për një 30-vjeçare me aftësi të kufizuara, e cila që një kohë ka pasur probleme shëndetësore.
Rasti ka ndodhur në korridorin e QKMF-së, ku viktima ishte duke pritur për t’u kontrolluar, por papritmas është alivanosur.
Mjeku që ndodhej në qendër intervenoi menjëherë dhe pas ekzaminimeve për shenja vitale, e ka konstatuar që e njëjta është pa shenja jete.
Lidhur me rastin, njësitë përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, teksa trupi i pajetë është tërhequr për t’u dërguar në IML për obduksion.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si ‘Hetim i vdekjes’.