E raportoi burrin për dhunë në familje, ndalohet gruaja nga Lipjani për deklaratë të rreme
Prokuroria Themelore në Prishtinë bën të ditur se me urdhër të Prokurorit të Shtetit dje në Lipjan një grua është ndaluar për veprën penale’ lajmërimi apo kallëzimi i rremë’.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se ajo ka deklaruar se bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë në familje.
“Dyshohet se e njëjta ka bërë raportim të rremë pranë organeve të rendit, dhe atë më 21.04.2021, kundër bashkëshortit të saj, për veprën penale dhunë në familje, ndaj të cilit është zhvilluar procedurë penale dhe i njëjti është shpallur fajtor me vendim të Gjykatës kompetente”.
“Ndërsa, bashkëshorti i saj ka ushtruar kallëzim penal kundër të dyshuarës, për shkak të lajmërimit apo kallëzimit të rremë në polici, në vitin 2021 (rasti i lartcekur) dhe se në incizimin të cilin e posedon Prokurori i Shtetit, i ofruar si dëshmi nga tani i dëmtuari, e njëjta e pranon se në vitin 2021 ka gënjyer organet e hetuesisë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete. Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarës, në Gjykatën kompetente”, thuhet në njoftim.