E pëson keq fajdexhiu nga Ferizaji pasi e detyroi një person të paguante 40 mijë euro kamatë
Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit F.G., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale fajdeja.
Sipas njoftimit të Gjykatës, F.G. dyshohet se i ka dhënë para fajde një personi i cili kishte vështirësi financiare si pasojë e COVID-19, duke e detyruar viktimën të paguante 40 mijë euro kamatë.
“Nga data 1 shkurt 2022, ka kontraktuar shuma jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për persona tjerë, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare të personit, në atë mënyrë që i dëmtuari E.A., për shkak të vështirësive financiare si pasojë e pandemisë nga virusi Covid-19, është detyruar që të kërkoj para fajde nga i pandehuri, në atë mënyrë që fillimisht ka marrë katërmijë euro me fajde 20% në muaj, mirëpo me pamundësi për ti paguar shumat e fajdeve është detyruar të merr edhe 3 herë nga dymijë euro dhe një herë gjashtëmijë euro, pra gjithsej gjashtëmbëdhjetë mijë euro, për të cilat ka paguar në emër të fajdeve nga tremijë e dyqind euro në muaj, kështu që brenda një viti ka paguar shumën prej katër dhjetë mijë euro vetëm për fajde, kurse borxhin prej gjashtëmbëdhjetë mijë euro ka mbetur pa e paguar.’, njofton Gjykata.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.