Lajme

E mitura gjendet duke bashkëjetuar me të dashurin: U largova si pasojë e dhunës nga babai

Rastet kur vajzat e mitura largohen nga shtëpitë e tyre dhe vazhdojnë jetesën me persona të moshës madhore janë goxha të shpeshta. Familjet e tyre janë ato që shqetësohen dhe kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur ato, me frikën që mund të keqtrajtohen, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur së fundmi në Ferizaj, ku u raportua si e zhdukur një e mitur.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se vajza ishte larguar nga shtëpia të dielën në mbrëmje dhe familja nuk kishte asnjë informacion për fatin e saj.

Rasti u denoncua në Polici dhe më pas u zbulua se vajza kishte shkuar për të bashkëjetuar me një 18-vjeçar, me të cilin kishte nisur një lidhje dashurie.

Gjatë ditës së hënë, Policia e gjeti vajzën në fshatin Sadovinë të Vitisë, e cila më pas u dërgua në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit dhe ka dhënë deklaratën e saj.

Sinjali mëson se bazuar në dëshminë e viktimës, motivi që e shtyu atë të largohej nga shtëpia ishte dhuna që babai i saj ka ushtruar në familje.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit është vënë në dijeni për rastin dhe ka urdhëruar që të hetohet nëse vajza është keqtrajtuar nga personi me të cilin ka qëndruar.