Lajme

E konfirmon Sveçla, njëri nga të arrestuarit në Veri është veterani serb që kishte luftuar në Koshare

Dy shtetas të Serbisë janë arrestuar mbrëmë nga Policia e Kosovës në veri të vendit, teksa po lëviznin me veturën e tyre me targa të Sllovenisë. Gjatë kontrollit të automjetit që drejtonin janë gjetur dhe janë konfiskuar pajisje të kundërligjshme, përfshirë armë e drogë. Sinjali raportoi sot se dy të arrestuarit janë Ivan Sekulic (30-vjeçar) dhe Sinisa Jevtic (48-vjeçar), të cilët sipas informacioneve të para dyshohet se janë veteranë të Serbisë.

Kjo tashmë është konfirmuar edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka njoftuar se është arrestuar veterani i ushtrisë serbe, Sinisha Jevtiv pas hyrjes në Kosovë.

Sveçla ka thënë se ai ishte dërguar te kufiri me Kosovën nga deputeti ultra-nacionalist serb Erak Strahinja, që i përket një partie pro-ruse të ekstremit të djathtë.

Ai ka bërë të ditur se Jevtiq kishte luftuar në Koshare me ushtrinë serbe.

“Në luftën e Kosovës, ai po ashtu kishte luftuar në Koshare. Ai me krenari mban medaljet e Kasapit të Ballkanit, Millosheviqit. Para se të vinte në Kosovë, ai shpërndante broshura te veteranët për t’i mobilizuar për ‘çlirimin final të tokës së shenjtë’”, ka shkruar Sveçla.

Ministri ka deklaruar se mbrëmjen e së dielës, ai ishte parë me një grup njerëzish të tjerë, përfshirë Strajinjën, duke kënduar këngë nacionaliste serbe.

“Jevtiq identifikohet si serb dhe si rus, dhe hapur mbështetë agresionin rus në Ukrainë me simbolin Z”, ka shtuar ministri.