Lajme

E kërcënoi me thikë dhe tentoi t’i prejë organin gjenital – Gruaja shpëton nga sulmi i partnerit në Fushë Kosovë, autori në arrati

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen ngjarje të tilla ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Së fundmi një rast i rëndë dhune në familje ka tronditur Fushë Kosovën, ku një grua ka shpëtuar për pak nga një sulm i tmerrshëm që dyshohet se është kryer nga partneri i saj. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e 28 majit 2025, në rrugën “Selim Grajqevci”, ndërsa rasti është denoncuar më 30 maj në Policinë e Kosovës.

Sinjali mëson ekskluzivisht se viktima është L. B., rreth 40-vjeçare, e cila ka raportuar se ka qenë objekt i dhunës brutale nga i dyshuari F.B, me të cilin kishte bashkëjetesë. Sipas dëshmisë së saj, rreth orës 07:00 të mëngjesit, i dyshuari fillimisht ka ofenduar dhe kërcënuar verbalisht, pastaj e ka kapur për fyti dhe ka tentuar ta sulmojë me thikë në zonën gjenitale.

E tmerruar dhe me shumë vështirësi, viktima ka arritur të largohet dhe t’i shpëtojë sulmit, ndërsa i dyshuari është në arrati dhe aktualisht nuk dihet vendndodhja e tij.

Prokuroria është njoftuar për rastin dhe ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Dhuna në familje” të lidhur me veprën “Kanosja”.

Policia ka nisur hetimet dhe është në kërkim të F.B, i cili po dyshohet për tentim të një sulmi me pasoja të rënda, që mund të kishte përfunduar tragjikisht.