E goditi me veturë, por këmbësori e rrahi brutalisht shoferin
Aksidentet e shpeshta që ndodhin në trafik shpesh përcillen edhe me incidente që eskakojnë në kërcënime dhe përleshje brutale. Një rast i tillë ka ndodhur përballë një lokali në rrugën “Ukë Bytyqi” në Prishtinë, ku një veturë ka goditur një këmbësor. Kjo i kushtoi shoferit i cili më pas u rrah nga personi që e goditi, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy të dyshuarit janë A.B., dhe P.M., të cilët e kanë rrahur me grushte dhe shqelma shoferin, të cilit i kanë shkaktuar lëndime trupore, në shenjë revolte pasi ai e goditi njërin prej tyre me veturë.
Sulmi fillimisht kishte nisur derisa viktima ka qenë në veturë, e më pas ka vazhduar jashtë saj, ku si pasojë e goditjeve i njëjti është dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes.
Dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku kanë dhënë deklarata para hetuesve policorë në lidhje me rastin për të cilin dyshohen. Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.