E dhimbshme për familjen Ballata në Gjakovë, 59-vjeçari gjendet pa shenja jete në shtëpinë e tij
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në Gjakovë, ku një person është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në rrugën ‘Ganimete Tërbeshi’, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se viktima është 59-vjeçari, Dukagjin Ballata.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se kanë pranuar thirrje për ndihmë, pasi viktima ishte gjetur i shtrirë pa ndjenja dhe dyshohej se ishte në rrezik për jetën.
Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe pas ekzaminimeve për shenjat vitale, mjeku ka konstatuar se 59-vjeçari ka ndërruar jetë.
Në vendngjarje kanë dalë edhe njësitë policore të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe kanë marrë dëshminë e vëllait të viktimës, i cili e ka gjetur atë pa shenja jete.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion dhe me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Hetim i vdekjes’.