Lajme

E dhimbshme: Ky është 38-vjeçari që humbi jetën në aksidentin në Fushë Kosovë, ishte i burgosur

Një person ka mbetur i vdekur sot në mëngjes në rrugën nacionale Prishtinë – Pejë, saktësisht në fshatin Bresje të Fushë Kosovës, pasi i njëjti u godit nga një veturë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin është arrestuar, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se viktima është 38-vjeçari nga fshati Turiqec i Podujevës, Fatmir Ajeti.

Siç merr vesh Sinjali, Ajeti ishte i burgosur në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë dhe i njëjti ishte i pajisur me leje që të punojë në terren.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.

Në anën tjetër, burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se shoferi që u arrestua është Bekim Maxhuni, 43-vjeçar.

Maxhuni me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe brenda afatit ligjor pritet që të parashtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.

“Me datën 30.01.2024 rreth orës 07:23 është raportuar për një aksident trafiku të ketë ndodhur në rrugën Prishtinë-Pejë (Bresje). Lidhur me rastin janë njoftuar njësitë kompetente policore dhe ekipi mjekësor të cilët menjëherë kanë dalë në vendngjarje.

Bazuar në informacionet e para, si pasojë e këtij aksidenti dyshohet se një person ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konstatuar stafi kompetent i QMF.

Lidhur me rastin dhe mjetet e përfshira në aksident, janë duke u kryer hetimet nga njësia e autostradës. Në vendin e ngjarjes kanë dalur edhe zyrtar të lartë nga Divizioni i trafikut, prokurori i rastit dhe njësitet tjera relevante”, njoftoi Policia sot.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.