Lajme

E dhimbshme: Kjo është 67-vjeçarja që humbi jetën mbrëmë në Suharekë

Një aksident në trafik doli të jetë tragjik në Suharekë. Një grua ndonëse nuk mori plagë të rënda si pasojë e ndeshjes me një veturë tjetër, dyshohet se ndërroi jetë shkaku i infarktit që pësoi nga shqetësimi i madh që përjetoi, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se viktima është Sanije Krasniqi, 67-vjeçare, e cila ishte si pasagjere në njërën prej veturave që u përfshi në aksident.

Dy kryefamiljarët M. dhe bashkëshortja e tij, Sanija, teksa po udhëtonin me veturën e tyre, janë aksidentuar me një veturë tjetër, të cilën po e ngiste, Milazim Bugari, tashmë i arrestuar nga Policia.

Bugari, që ishte në gjendje të dehur, dhe bashkëshorti i të ndjerës pas aksidentit janë fjalosur mes vete, teksa sipas Policisë ai pati kontakt edhe me viktimën, për të cilën thonë se e shtyu.

Por sipas informacioneve që posedon Sinjali, e të cilat ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga organet e rendit, i dyshuari dhe viktima nuk kanë pasur asnjë kontakt fizik mes vete, por vdekja e të ndjerës dyshohet se erdhi si pasojë e shqetësimit të madh që përjetoi nga e gjithë kjo situatë.

Togeri i Policisë së Kosovës në Prizren, Shaqir Bytyqi, tha për Sinjalin se i dyshuari nuk është intervistuar, pasi që ka qenë në gjendje të dehur në momentin e arrestimit, mirëpo ai është dërguar në mbajtje.

“Policia e ka trajtuar rastin e aksidentit, njera nga pjesmarreset ne aksident nga emergjenca eshte transportiar per ne QKMF ne Suharekë, rreth ores 21:54 ne QKMF mjeku kujdestar e ka vertetuar vdekjen e viktimes, femer 67-vjeçare. Nga mbledhja e deshmive nga vendi I ngjarjes dyshohet se viktima nuk ka nderruar jetë si pasoj e lendimeve nga aksidenti, por shkaqet e vdekjes deri me tani nuk dihen.
Dyshohet se I dyshuari pas aksidentit ka dal nga automjeti dhe Jane fjalosur me palen tjetër, dhe ne nje moment e ka shtyre viktimen e cila është rrezuar. Viktima ka qene pasagjere ne automjetin tjeter të perfshirë ne aksident. Pra deri me tani nuk dihen shkaqet e vdekjes, por prokurori kujdestar ka urdhëruar që të hapet rast ” Vrasje nga pakujdesia”. I dyshuari nuk është intervistuar sepse ka qenë nën ndikim te alkoolit”. Me urdher te prokurorit kujdestar I njejti është ndaluar per 48 orë“, tha Bytyqi.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje si i dyshuar për veprën penale ‘Vrasje nga pakujdesia’, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.