Lajme

E dhimbshme: Humb jetën fëmija 10-vjeçar që u godit nga vetura dy javë më parë

Një aksident në trafik e kishte lënë me lëndime të rënda një fëmijë 10-vjeçar në Lipjan. I mituri të premten e 4 gushtit ishte goditur nga një veturë dhe i njëjti ishte dërguar në gjendje të rëndë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po trajtohej deri dje në repartin e Mjekimit Intensiv, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda QKUK-së kanë bërë me dije se 10-vjeçari nuk ka arritur që t’i përballojë plagët e marra dhe si pasojë ka ndërruar jetë dje pasdite.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin është dërguar në mbajtje.