Kryesore

Dyshohet se sulmoi 29-vjeçarin me nevoja të veçanta, arrestohet njëri nga pronarët e ‘Fabric Night Life’ në Mitrovicë

Një sulm fizik ndaj të riut, Ali Neziraj, mori vëmendje të madhe jo vetëm në qytetin e Mitrovicës, por edhe më gjerë. 29-vjeçari i cili është me nevoja të veçanta dhe ngecje në zhvillim, mori lëndime trupore pasi u rrah nga i dyshuari, i cili u arrestua dje, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari është Mexhit Ibishi, 47-vjeçar.

Ibishi i cili është gastronom i njohur në qytetin e Mitrovicës dhe njëri nga pronarët e lokalit të natës ‘Fabric Night Life’, është identifikuar dje pas veprimeve hetimore dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.