Dyshohet se kreu marrëdhënie seksuale me 14-vjeçaren në Suharekë, ky është i dyshuari që përfundoi në ndalim policor
Sot u raportua për një rast të dhunimit që dyshohet se ka ndodhur para dy ditësh në Suharekë, ku viktimë është një vajzë 14-vjeçare. E mitura dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një 21-vjeçar, i cili tashmë është arrestuar.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Agron Elshanin, i cili ka përfunduar në prangat e Policisë, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Dhunimi”.
Rasti dyshohet të ketë ndodhur të premten, kur i dyshuari dhe viktima kanë qenë gjatë gjithë natës bashkë, periudhë kjo kur vajza ishte raportuar e zhdukur.
Sinjali mëson se gjithçka u zbulua pasi viktima, u largua nga shtëpia dhe nuk dihej asgjë për fatin e saj. Kjo ka alarmuar familjen, të cilët menjëherë kanë denoncuar rastin dhe kanë filluar kërkimet për vajzën.
Vajza kishte dalë pasdite nga shtëpia dhe gjatë kësaj kohe, ajo dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me të dyshuarin, me të cilin kishte qëndruar në fshatin Sllapuzhan derisa askush nuk kishte informacione për vendndodhjen e saj.
Posa vajza u bë e gjallë dhe u kthye në shtëpi, babai i saj vendosi që ta njoftojë Policinë dhe bashkë me të bijën u nisën për në stacion policor, ku vajza tregoi gjithçka që kishte ndodhur mes saj dhe të dyshuarit.
Si rezultat i denoncimit, hetuesit policorë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme, me ç’rast është intervistuar edhe i dyshuari, i cili ka dhënë dëshminë e tij.
Pas përfundimit të procedurave policore, lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit.
Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.