Lajme

Dyshimet për tradhti mollë sherri mes çiftit në Prishtinë, burri ushtron dhunë ndaj bashkëshortes

Dyshimet për tradhti dhe xhelozia bëhen shpesh shkaktarë të dhunës që përjetojnë gratë në Kosovë nga partnerët e tyre apo edhe anëtarët e tjerë të familje. Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në një familje në Prishtinë , ku viktimë është një grua 44-vjeçare raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se rastin e ka denoncuar gruaja, e cila ka kërkuar ndihmë nga Policia, pasi u përballë me dhunën fizike të ushtruar nga bashkëshorti i saj.

Gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive xhelozie për shkak të dyshimeve të burrit se gruaja po e tradhton. I dyshuari ka ushtruar dhunë psikike ndaj gruas, duke i shkaktuar shqetësim të madh.

Përballë kësaj situate, ajo ka vendosur të raportojë rastin në Polici dhe si rezultat i denoncimit, njësitet policore kanë intervenuar në shtëpinë e tyre.

Burri i dyshuar është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.