Dyshimet për përfshirje në ryshfet të zv/ministrit Velijit, flasin nga Ministria e Zhvillimit Rajonal: Lajmin e morëm vesh nga mediat
Dy ditë më parë u publikua një audio-incizim ku dyshohet se një zv.ministër i kryeministrit Albin Kurti është përfshirë në ryshfet. Bëhet fjalë për Almir Veliji, për të cilin po raportohet se është përfshirë në një aferë ryshfeti.
Në audion e publikuar, zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Almir Veliji dyshohet se është përfshirë në një aferë për një grant qeveritar prej dhjetëra mijëra eurosh.
Në audio-incizim, flitet për afro 70 mijë euro para të shtetit që do të jepeshin si grant qeveritar, por bashkëbiseduesit nuk arrijnë deri te pika e përcaktimit të çmimit të ryshfetit, por definohet se pa ryshfet nuk kryhet puna.
Për rastin në fjalë janë deklaruar për Sinjalin nga Ministria e Zhvillimit Rajonal.
Muaz Kazazi, këshilltar i ministrit Fikrim Damka tha se për rastin në fjalë ministria është njoftuar përmes mediave. Ai shtoi se deri tani nuk ka informacione nëse ministri Damka është takuar me Velijin ndërsa tha se ky i fundit nuk ka kërkuar takim me ministrin për dyshimet për ryshfet.
“Zv/ministri nuk ka kërku takim me ministrin. Ne si ministri nuk kemi marrë nga organet kompetente qoftë Prokuroria apo Policia ndonjë informacion për çdo parregullësi. Nuk kemi pas shkresë ose informacion zyrtar deri më sot nuk kemi diçka të tillë. Vetëm i kemi marrë informacionet përmes mediave si të gjithë qytetarët e Republikës të Kosovës”, tha Kazazi për Sinjlain.
Ndaj rastit të Velijit janë distancuar zyrtarë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje duke thënë se ai nuk është pjesë e partisë së tyre, ndonëse është anëtar i Qeverisë Kurti.
Deputeti i VV-së, Dimal Basha kishte thënë ”se zëvendësministri në fjalë nga partia Bashkimi Social-Demokrat është propozuar nga Duda Balje, që përfaqëson boshnjakët në Kuvendin e Kosovës”.
Sinjali ka kërkuar përgjigje edhe nga deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje. Deputetja e cila njihet për transparencë dhe reagime, kësaj radhe, zgjedhi të hesht.
Balje e kontaktuar për disa ditë nga Sinjali, nuk iu është përgjigjur pyetjeve për Velijin.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Almir Veliji ndodhet nën hetime nën dyshimet për përfshirje në një rast ryshfeti.
Në një njoftim për media të premten, Prokuroria ka thënë se hetimet ndaj zv/ministrit kanë filluar para publikimit në media të audio-inicizimit në të cilin zëvendësministri përfshihet në një aferë ryshfeti.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me audio-incizimin e publikuar ditëve të fundit nga një portal vendor, për një grant qeveritar, se para plasimit të këtyre provave në publik, në Prokurori janë deponuar audio-incizime, për të cilën çështje Prokurori i Shtetit menjëherë ka autorizuar policinë për të grumbulluar informata dhe prova”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë në Prishtinë.
Prokuroria është ankuar se publikimi në media i audio-inicizimit i ka vështirësuar hetimet për rastin.
“Mirëpo publikimi i provave në opinionin publik që ndërlidhen me këtë çështje, na ka vështirësuar punën hetimore, andaj, me qëllim të ruajtjes së interesit të përgjithshëm të këtij rasti dhe rasteve të tjera në të ardhmen, të cilat janë në fazën e hetimeve, kërkojmë të mos publikohen prova të cilat dëmtojnë integritetin e hetimeve”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, zëvendësministri Veliji raportimet e fundit i ka quajtur “lojë politike” duke ftuar Policinë dhe Prokurorinë për ta hetuar rastin.
Pasuria e Velijit
Në pozitën e zv/ministrit, Aliji i ishte nënshtruar deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion.
Siç ka deklaruar Veliji në AKK, edhe pse ka një rrogë të majme si zëvendësministër, ai në bankë ka vetëm 81 centë.
Ndërsa si pasuri të paluajtshme, ai ka deklaruar një shtëpi 500 m2, në vlerë 100 mijë euro dhe një hektarë tokë në vlerë 100 mijë euro. Prejardhjen e kësaj pasurie ai e ka deklaruar si “të trashëguar”.
Gjithashtu ai ka një veturë të tipit Golf i vitit 2000, në vlerë 3 mijë euro. Aliji ka thënë se edhe kjo veturë e cila është e trashëguar.
Kurse si detyrim financiar, Velilaj ka deklaruar 2 mijë euro për nevoja personale të marra për dy vite.