Lajme

Nuk ka ndodhur arrestimi i biznesmenit Driton Shuki

Policia e Kosovës mëngjesin e së enjtes ka publikuar një njoftim të rremë për arrestimin e një personi nën dyshimin që kishte blerë një pajisje që dyshohej se ishte e vjedhur.

Pas publikimit të komunikatës së Policisë, personi për të cilin është raportuar si i arrestuar ka raportuar në KALLXO.com se nuk është arrestuar.

Driton Shuki, pronari i kompanisë “Avicena”, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se nuk ka qenë i arrestuar por është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit.

“Ka ardhur Policia, ne e kemi deklaru atë, e kanë konfiskuar. Ne kemi treguar prej kujt e kemi ble, në cilësinë e dëshmitarit. Por sot kur ka dalë teksti, e kanë qitë në cilësinë e të arrestuarit. Kjo më ka bo pak ‘prishje të imazhit’. Unë nuk jam arrestu” – ka thënë Driton Shuki.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Policia rreth pretendimeve të biznesmenit Shuki. Policia e Kosovës e ka pranuar se njoftimi për arrestim ka qenë “gabim teknik”.
Florie Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për Rajonin e Prishtinës, ka thënë për KALLXO.com se personi në fjalë është intervistuar si person i dyshuar. “Është intervistu në cilësinë e personit të dyshuar, është komunikata me përmirësim në ueb-faqe. Teknik ka qenë (gabimi), të gjitha kanë qenë të bazuara në raport, por veç fjala ‘arrestim’ është zëvendësu me ‘intervistim’. Të gjitha të tjerat janë të bazuara në raport, veç ai lëshim është bërë” – ka thënë Ahmeti.

Pas interesimit të KALLXO.com, Policia e Kosovës e ka përmirësuar komunikatën e publikuar në ueb-faqen e Policisë së Kosovës si dhe postimin e bërë në Facebook për të njëjtin rast. Policia ka bërë të ditur se ndaj D.Sh. është iniciuar rast në koordinim me prokurorin e shtetit.

Titulli: Dyshime për përfshije në grup kriminal, arrestohet sërish pronari i “Avicena”, Driton Shuki

Pronari i poliklinikës ‘Avicena’, Driton Shuki është arrestuar nga Policia e Kosovës. Ai është arrestuar për dyshimet se ka bërë blerje/pranim të disa pajisjeve të vjedhura nga persona që po dyshohen se kanë marrë tinëzisht pajisje mjekësore në vlerë 45 mijë euro nga spitalet e Maqedinsë së Veriut.

Kjo është hera e dytë që arrestohet biznesmeni Driton Shuki për dyshime se kryen vepra penale që përfshijnë të dy shtetet: Kosovën e Maqedoninë e Veriut.

Shuki dyshohet se pajisjen mjekësore e cila u përfitua në mënyrë të kundërligjshme, e ka blerë për rreth 10 mijë euro nga personat të cilët ende nuk janë identifikuar nga organet e hetuesisë.

Herën e parë ishte arrestuar për testet Covid 19. Shuki ishte arrestuar nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në Han të Elezit nën dyshimin se ka bartur mostra dhe rezultate të testeve.