Lajme

Dy persona të panjohur sulmojnë me boks të hekurit një të mitur në Fushë Kosovë, ia thyejnë hundën

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë pak para mesnatës në Fushë Kosovë, ku dy persona të panjohur dyshohet se kanë sulmuar fizikisht një të mitur në mes të rrugës, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë, kanë bërë me dije se i mituri është dërguar atje në gjendje të rëndë dhe për shkak të natyrës së lëndimeve, është transferuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Pas intervenimit të mjekëve, gjendja shëndetësore e viktimës, i cili kishte pësuar frakturë në hundë, është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë deklaratën e të miturit.

Bazuar në dëshminë e 17-vjeçarit, derisa ishte duke ecur rrugës, dy persona të cilët janë të panjohur për të, e kanë sulmuar fizikisht duke e goditur me boks të hekurit.

Njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, ndërsa me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Lëndim i rëndë trupor’. Veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.