Dy gra gjenden të vdekura në banesat e tyre
Dy gra janë gjetur pa shenja jete të shtunën në banesat e tyre në Hajvali të Prishtinës dhe në Gjilan.
Policia ka njoftuar të dielën se të dyja rastet janë cilësuar si “hetim i vdekjes”.
“Pas marrjes së një informate për vdekje të dyshimtë, njësiti policor ka dalë në vend ngjarjes, ku aty kanë qenë edhe ndihma e shpejtë, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës femër kosovare, ekipet kompetente dhe IML janë njoftuar. Rasti ka ndodhur në banesën e viktimës”, thuhet në njoftim për vdekjen e viktimës në Hajvali.
Edhe për rastin në Gjilan nuk janë bërë të ditura shkaqet e vdekjes së viktimës.
“Viktima femër kosovare, është gjetur pa shenja jete në banesën e saj. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar”, thuhet në njoftim.
Policia ka njoftuar se trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.