“Duhet t’ia lajnë këmbët vjehrrit e burrit”, dëshmia e viktimës për babain kosovar me 4 djemtë e tij në Zvicër
Vendimi ndaj babait dhe katër djemve të tij pritet të shpallet më 24 nëntor. Ata mund të dënohen deri në 20 vjet burgim.
Dje, para Gjykatës së Qarkut në Moutier (Jura e Bernës) ka filluar procesi gjyqësor ndaj pesë burrave me prejardhje nga Kosova Lindore, trasnmeton albinfo.ch. Ata, babai dhe katër djemtë etij, akuzohen për trafikim njerëzor, shtrëngim, lëndim fizik, martesë të detyruar, heqje lirie, përdhunim, akte seksuale me fëmijë, shkruan tagesanzeiger.ch. Ndërsa babai, 65 vjeçar, “patriarku i familjes” gjithashtu duhet të përgjigjet për mashtrimin komercial të entit të mirëqenies sociale dhe shkeljen e ligjit për të huajt.
Procesi ka filluar dje në mëngjes, ndërsa disa media bëjnë transmetimin e tij çast pas çasti (liveticker).
Para gjyqit, njëri nga djemtë flet dhe tregon një tufë fotografish, duke thënë: “Këto janë foto familjare. Akuzat e bëra nga gratë, ashtu siç janë publikuar në media, nuk janë të vërteta”. Ai kërkon të flasë fillimisht për mediat, por pasi konsultohet me avokatin, tërheq ofertën.
“Në pamje të parë, katër djemtë dhe babai duken të padëmshëm dhe të këndshëm. Duken të pasigurt, flasin me mirësjellje me zyrtarët e pranishëm. Disi nuk i përshtaten imazhit të burrave brutalë në aktakuzë”, shkruan gazeta
Por, akuzat flasin ndryshe. Njëra nga gratë e sotme viktima, ishte vetëm 15 vjeçe kur kishte ardhur në Zvicër, në fund të vitit 2007. Hyrja kishte qenë ilegale, pas një udhëtimi disaditor, një pjesë e tij në këmbë, natën, nëpër pyll. Në vendin e saj, në Shqipëri, një burrë 50-vjeçar u kishte premtuar prindërve të saj se do të kujdesej për të dhe do t’i ofronte një jetë më të mirë, përfshirë edhe mundësinë për të studiuar. Për të realizuar këtë, ajo duhet të martohej me djalin e tij. Ai tashmë jeton në Zvicër, ashtu si ai vetë, gruaja dhe tre djemtë e tjerë.
Akuza të rënda
Tani, mbi personin tashmë 65 vjeçar që kishte sjellë 15 vjeçaren në Zvicër, shtetas i Serbisë dhe pjesëtar i pakicës shqiptare që jeton në Serbinë jugore ngarkohen akuza të rënda, përcjell albinfo.ch. Të akuzuar janë edhe katër djemtë e tij, të moshës nga 26 deri në 38 vjeç. Prokuroria publike i akuzon për të gjitha veprat më të rënda: trafikim njerëzor, shtrëngim, lëndim fizik, martesë të detyruar, heqje lirie, përdhunim, akte seksuale me fëmijë. Babai gjithashtu duhet të përgjigjet për mashtrimin komercial të entit të mirëqenies sociale dhe shkeljen e ligjit për të huajt.
Krimet për të cilat akuzohen pesë personat, pretendohet se kanë ndodhur midis vitit 2003 dhe 2019. Gjatë kësaj kohe, ata kanë sjellë në Zvicër edhe tri të reja nga Shqipëria dhe Serbia, gjithmonë me premtime të rreme për një jetë më të mirë. Çfarë ndodhi më pas pas dyerve të mbyllura të klanit të familjes mund të merret me mend vetëm nga aktakuza prej 34 faqesh.
Pas mbërritjes në Zvicër, jeta e re e e vajzës së parë që kishte ardhur, dukej krejtësisht ndryshe nga ajo që i ishte premtuar: me udhëzimet e babait të tij, bashkëshorti i saj i ri, përdorte vazhdimisht dhunë kundërsaj, duke e goditur me duar, me rryp, duke lënë në trupin e saj vrragë dhe mavijosje. Ai vazhdimisht e kërcënon se do ta vrasë, do t`ia shkatërronte jetën, duke i thënë se do të ishte i lumtur nëse ajo vdiste. Ai e quan lavire dhe kurvë si dhe e përdhunonte atë, pa pushim. Në vjeshtën e vitit 2008, kur ajo ishte vetëm 16 vjeçe, lindi fëmija i parë. Gjatë viteve të para në Zvicër, e reja shumë rrallë lejohej të dilte nga shtëpia. Gjatë blerjeve ajo kontrollohet rreptësisht nga bashkëshorti i saj. Me kalimin e viteve, ajo del jashtë me fëmijët çdo tri javë – me kusht që të marrë një “leje” prej tij. Kur ajo kthehet vonë në shtëpi nga këndi i lojërave, ai e godet përsëri – ndërsa ajo mban një nga fëmijët e përbashkët në krahë.
Duhet t’ia lajnë këmbët vjehrrit dhe burrave
Sipas urdhrave të vjehrrit të saj, ajo lejohet të telefonojë familjen e saj në Shqipëri për pesë e më vonë dhjetë minuta në muaj, çdo herë me telefonin e tij. Në vitin 2018, kur ishte tashmë 26 vjeçare, ajo bën telefonin e saj – pa mbushje. Kështu thotë aktakuza.
Ajo kalonte ditët jo vetëm me fëmijët dhe shtëpinë e saj, por edhe duke bërë punët e shtëpisë për vjehërrit. Ashtu si tri gratë e vëllezërve të burrit të saj, ajo ngrihet në orën 6 të mëngjesit dhe shkon në shtrat e fundit. Nuset duhet të lajnë edhe këmbët e vjehrrit dhe të burrave. Babai është kryefamiljari, nëna, të paktën në aktakuzë, çuditërisht mungon. Ajo nuk akuzohet.
Gruaja e re thotë se ishte keq që burri i saj nuk mund të mendonte vetë, por bënte vetëm atë që i thoshte babai. Ajo thotë në gjykatë: “Vjehrri na shkatërroi marrëdhënien. Kam ardhur në Zvicër për të krijuar familje. Por babai i tij ishte më i rëndësishëm për të. Ai thoshte: Ka vetëm një baba. Ndërsa gra, ka sa të duash në treg”.
Gjatë gjithë këtyre viteve, “nusja” e parë ashtu si edhe tri të rejat e tjera ka pasur fare pak mundësi për të kontaktuar me botën e jashtme. Vizita te mjeku, e vetme: e ndaluar. Kurset e gjuhës: të ndaluara…
Situata e jetesës sjell probleme të rënda psikologjike dhe fizike të shumëfishta për nënën shqiptare. Ajo vuan nga depresioni dhe ankthi, dhimbje koke të forta, dhimbje në të gjithë trupin, të fikët, të vjella, humbje oreksi, ankthe.
Avokati nga Bernës Dominic Nellen, i cili përfaqëson dy nga katër gratë thotë se edhe pse gratë ndonjëherë dilnin nga shtëpia, ato nuk mundën të iknin, të shpëtonin. “Gratë ishin të thyera, të frikësuara, plotësisht të varura financiarisht. Bashkëshortët e tyre nuk i kanë regjistruar si duhet në Zvicër. Prandaj, gratë kishin frikë se mund edhe të dëboheshin. Me këtë i kanë kërcënuar edhe bashkëshortët e tyre, thotë Nellen.
Rreth vitit 2018, autoritetet e sigurimeve shoqërore u njohën me familjen dhe u kërkuan grave të kërkonin punë dhe të ndiqnin një kurs të gjuhës.
Si ndodhi ikja nga shtëpia e tmerrit
Në fillim të vitit 2019, kur ajo është 26 vjeçe dhe ka më shumë se njëmbëdhjetë vjet në Zvicër, një nga kunatat e saj vendos të largohet nga bashkëshorti i saj pas shumë vitesh abuzime. Më pas vjehrri kërcënon të parën dhe dy gratë e tjera: Nëse edhe ato duan të ikin, do t’i gjejë dhe do t’i vrasë. Sipas aktakuzës, patriarku thotë gjithashtu se ka para dhe lidhje për të paguar një vrasës në Shqipëri.
Kjo e kishte trembur për vdekje 26-vjeçaren e atëhershme. Megjithatë, në pranverën e 2019 ajo vendos të ikë me fëmijët e saj. Ikin edhe dy gratë tjera, të mbetura. Sot, thotë avokati Dominic Nellen, ato jetojnë “në një mjedis të mbrojtur”.
Prokuroria publike asnjëherë nuk ka aplikuar për paraburgim për të akuzuarit. Të pestët mohojnë akuzat. Sipas avokatit, katër djemtë janë rritur në Zvicër dhe, ashtu si babai i tyre, kanë marrë ndihmë sociale.
Por si ka mundur të ndodhë që klani familjar të mund të ruante sistemin e tij për një kohë kaq të gjatë pa e vënë re askush? A e dinin miqtë dhe të afërmit e familjes? A kanë pasur ndonjëherë autoritetet ndonjë dyshim? Këto janë vetëm disa nga pyetjet e mëdha që po rrihen në procesin gjyqësor, në Moutier, shkruan gazeta Tages Anzeiger.
Procesi është planifikuar për pesë ditë. Gratë duan ta ndjekin gjykimin në një dhomë të veçantë për të mos u përballur me të akuzuarit.
Vendimi ndaj babait dhe katër djemve të tij pritet të shpallet më 24 nëntor. Ata mund të dënohen deri në 20 vjet burgim.