Drenicaku ngacmon ish-bashkëshortoren 4 vjet pasi u ndanë, bën ‘drifta’ me veturë përreth saj
Shpeshherë të rinjtë e kanë të vështirë të pranojnë ndarjen nga partnerët e tyre. Ata nuk zgjedhin formë për të provuar që të kthehen sërish bashkë, e madje nuk i kursejnë as kërcënimet e ngacmimet ndaj tyre. Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Prekaz të Epërm në Skenderaj, ku një grua e ka denoncuar në Polici ish-burrin e saj, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti është denoncuar pasditen e djeshme, kur viktima vendosi që të kërkojë ndihmë nga Policia, për shkak të shqetësimit që i dyshuari ia kishte shkaktuar me veprimet e tij.
Sinjali mëson se bazuar në dëshminë e saj, të dhënë para hetuesve policorë, ish-bashkëshorti e ka ngacmuar duke bërë xhiro e ‘drifta’ me veturë afër saj, me qëllim që ta provokojë.
I dyshuari siç duket ia arriti synimin, pasi viktima është ndjerë e frikësuar përballë kësaj situate dhe e ka raportuar atë që kishte ndodhur. Të njëjtat burime thonë se motivi që viktima dyshon lidhet me xhelozinë, pasi e njëjta tashmë është e martuar me dikë tjetër.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka intervenuar, me ç’rast i dyshuari është intervistuar nga hetuesit, para të cilëve ka dhënë deklaratën e tij për motivin që e ka shtyrë ta ngacmojë ish-gruan e tij.
Me t’u përfunduar procedurat, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj tij për veprën penale “Ngacmim”.