Lajme

Drejtori i Policisë: Në mesin e të armatosurve dyshohet se ka qenë edhe Milan Radoiçiq

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në konferencën ku po prezantohen arsenali i armëve, uniformave dhe pajisjeve logjistike të konfiskuara nga Policia gjatë aksionit në veri, ka thënë se janë gjetur dokumente të Milan Radoiçiqit, i cili është në listën e zezë të ShBA-së.

Ndërsa drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha tha se është ngritur dyshimi i fuqishëm se në mesin e të armatosurve ka qenë edhe vet Radoiçiq, raporton Gazeta Sinjali.

“Është gjetur një dokument i aplikimit të lejes të armës së Radociq, i dyshuar për përfshirje në shumë raste kriminale. Dokumenti është lëshuar nga autoritetet serbe, duke ngritur dyshimin se në mesin e armatosur ka qenë edhe vet Milan Radoiçiq.“, tha Hoxha.

Kurse Sveçla ka thënë se kjo dëshmon lidhjen apo pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Radoiçiqit në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës dje në orët e para të mëngjesit.

“Organizim terrorist që është udhëhequr dhe urdhëruar direkt nga Beograd. Nga ekspertë vendor dhe të huaj është vërtetuar se për sasi armatimi dhe këto përgatitje duhen së paku disa muaj. Pra nuk ka të bëjë asgjë me një organizim ad-hoc, të shpejtë dhe të ditëve të fundit. Në këto materiale, po ashtu kemi gjetur dokumente të kriminelit që po ashtu është në listën e zezë të ShBA-së, Milan Radoicic, dokumente këto që dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të tij në këtë aksion”, ka thënë Sveçla.