Dramë në Serbi: Tre persona të vrarë në kufi
Tre emigrantë kanë humbur jetën në një përleshje me armë zjarri që ka ndodhur në mëngjesin e sotëm në ndërtesat e braktisura të ish-pronës bujqësore “Baçka” në qytetin kufitar të Horgoshit, në rajonin e Vojvodinës.
Lajmin e ka bërë të ditur Policia serbe në një përgjigje për Radio Televizionin e Serbisë, shkruan sot gazeta kroate Jutarnji List.
Një migrant mbeti i plagosur nga të shtënat dhe mori ndihmë mjekësore.
Të shtënat kanë ndodhur jashtë vendbanimit, por banorët e Horgoshit, i cili ndodhet afër kufirit të Vojvodinës dhe Hungarisë, janë shumë të shqetësuar nga ngjarja tragjike dhe kanë raportuar në rrjetet sociale se të shtënat janë dëgjuar nga zona kufitare.