Lajme

Dora e lehtë e Prokurorisë: Lirohet i dyshuari për sulmin ndaj policit në Prizren, i dehur e sulmoi dhe e kërcënoi

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës shumë shpesh kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë cak i sulmeve e kërcënimeve të ndryshme, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Një rast i tillë ndodhi të dielën në mbrëmje në Zhur të Prizrenit, ku e pësoi një polic, por në këtë rast dora e Prokurorisë ndaj personit të dyshuar ka qenë e butë, raporton Gazeta Sinjali.

I dyshuari që e sulmoi zyrtarin policor (emër i njohur për redaksinë) shpëtoi pa përfunduar në mbajtje, pasi Prokurori i Shtetit nuk urdhëroi masë sigurie.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi që po dyshohet për këtë rast është Gjymret Sope, 44-vjeçar, i cili në gjendje të dehur e sulmoi fizikisht zyrtarin policor.

Në situata të tilla, rrallëherë ndodhë që në rastet kur sulmon personin zyrtar, i cili pëson lëndime trupore, Prokuroria nuk e urdhëron as masën e ndalimit policor.

Por si ndodhi rasti?

Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije fillimisht se polici, i cili ishte viktimë e rastit, ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, si pasojë e lëndimeve që ka pësuar.

Ndërkohë, Sinjali ka mësuar se i dyshuari që ishte në gjendje të dehur e ka përcjellur policin teksa ishte duke lëvizur me veturën e tij, derisa në një moment del nga automjeti dhe i afrohet.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari Sope e ka goditur policin me grushte, si dhe e ka kapur për fyti – duke i shkaktuar lëndime trupore.

Për të mos mbaruar me kaq, i dyshuari edhe e ka kërcënuar zyrtarin policor, duke i thënë “Majmun, a e din ti çka t’bëj”, thonë të njëjtat burime.

Përballë kësaj situate, polici e ka denoncuar rastin, ku edhe ka dhënë deklaratën e tij për atë që ka ndodhur dhe ka deponuar si dëshmi raportin pas trajtimit mjekësor që ka marrë.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari vetëm është shoqëruar në stacion policor dhe pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit e ka liruar në procedurë të rregullt.

Lajmin për lirimin e tij e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prizren, ndërsa nuk dihet arsyetimi i Prokurorisë për ta lënë të lirë të dyshuarin që e sulmoi zyrtarin policor.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.