DOKUMENT | Kurtin e këshillon serbi Miletiq që thoshte se ai po imponon atmosferë antiserbe dhe 22 të tjerë
DOKUMENT | Kurtin e këshillon serbi Miletiq që thoshte se ai po imponon atmosferë antiserbe dhe 22 të tjerë
Kryeministri Albin Kurti gjatë daljeve në publik e shohim të rrethuar me një numër të madh truprojash që janë nga radhët e Policisë së Kosovës e që kujdesen për sigurinë e tij. Por, në Zyrat e Kryeministrit është një dyzinë këshilltarësh që kujdesen që ai të dijë “gjithçka”. Numri i tyre i saktë sipas Zyrës së Kryeministrit ka shkuar në 23, vendës e të huaj.
Mes tyre është edhe Petar Miletiq, i cili në vitin 2012 ka qenë nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga partia serbe SLS.
Po në vitin 2012, Miletiq e kishte dënuar aksionin e Lëvizjes Vetëvendosje në pikat kufitare në Merdar dhe të Dheu i Bardhë.
Në një intervistë për gazetën serbe “Danas”, Miletiq pati thënë se zhvillimi i mëtejshëm i situatës varet nga Vetëvendosje, partia e Albin Kurtit që sot e bëri këshilltar, të cilën e akuzonte se gjatë vitit 2011 në Kuvendin e Kosovës i ka shkuar përdore të “imponojë një atmosferë antiserbe” për ç’arsye mes tjerash nuk janë nxjerrë ligje të rëndësishme për komunitetin serb.
Prej këtyre zyrtarëve, Kurti këshillohet nga plotë 23 prej tyre, gjashtë prej të cilëve e mbajnë pozitën e këshilltarëve të jashtëm.
Punën në zyrën e Kurtit e drejton Luan Dalipi si shef i stafit dhe njëkohësisht edhe këshilltar i lartë politik. Komunikimin me mediat Kurti ia ka besuar Perparim Kryeziut i cili gjithashtu mban pozitën e këshilltarit politik.
Në listën e gjatë të njerëzve që e këshillojnë kryeministrin e Kosovës hyjnë edhe Shenaj Shala e cila kujdeset gjithashtu edhe për protokollin, Jeton Zulfaj njëherit edhe përgjegjës për bashkëpunimin rajonal dhe çështjet që ndërlidhen me Procesin e Berlinit.
Si këshilltarë politikë në kryeministri punojnë edhe : Rozafa Kelmendi, Merdzan Osmani, Edison Beciri, Artan Asllani, Nurije Shala e Sihana Mehmeti.
Gjithashtu pagë si këshilltar në kryeministri merr edhe Lulëzon Jagxhiu i cili kujdeset për çështjet e teknologjisë dhe informacionit dhe Aziz Bici i cili në portofolin e tij ka çështjet e kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së.
Pozitën e këshilltarit në zyrën e Kurtit ka marrë edhe Hysamedin Feraj i cili është i ngarkuar edhe me detyrën e anëtarit të Sekretariatit për koordinim ndërqeveritar. Feraj konsiderohet si një prej njerëzve më me influencë tek Kurti. Në sytë e opozitës qëndrimet e tij shihen si problematike, gjë për të cilën Abdixhiku e ka futur tek “Grupi i Tiranës” bashkë me Elvis Hoxhën.
Gjithashtu për çështjet që ndërlidhen me Luginën e Preshevës, Kurtin e këshillon ish-kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani. Ky emërim i saj ka ardhur pasi Sinani ka humbur betejën për udhëheqjen e Preshevës me Shqipërim Arifin. Me këtë të fundit Kurti s’ka kurrfarë raportesh, derisa vetë Arifi e akuzon Kurtin për përçarje të faktorit politik shqiptar në Luginë.
Në mesin e këtij numri të madh zyrtarësh, Kurti ka edhe gjashtë këshilltar të jashtëm.
Listën e kryeson Erzen Vraniqi i pasur nga Tienmu Ma, Tea Blakaj-Hoxha, Elizabeth Kathrine Gowing që kujdeset për komunitetet, Jusuf Ulaj për çështje të shëndetësisë dhe përmbyllet me Petar Mileticin.
Përveç këshilltarëve politikë, në zyrën e kryeministrit punojnë edhe disa zyrtarë të tjerë si staf mbështetës që bashkë me kryeministrin Kurti kompletojnë numrin prej 39 zyrtarësh.
Kurti pas zgjedhjeve të 14 shkurtit ishte zgjedhur për herë të dytë si kryeministër i Republikës së Kosovës. Herën e parë ishte rrëzuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me arsyetimin se “s’mund të qëndrojnë në një qeveri anti-amerikane”.
Kurti në këtë rrugëtim të dytë si kryeministër është marrë në mënyrë intensive me procesin e dialogut me Serbinë edhe përkundër faktit se kishte thënë se s’do të jetë në listën e prioriteteve. Ai disa herë është zmbrapsur dhe ka dëgjuar ndërkombëtarët për çështje të veriut, zgjedhjeve atje e dialogut me Serbinë.
Në aspektin e qeverisjes, ky dy vjetor Kosovën nën Kurtin e gjen në gjendje jo të mirë socio-ekomike, me çmimin e rrymës që është ngritur dy herë, me karburante të shtrenjtuara dhe gjithashtu edhe rritje të çmimeve për gjërat bazike. Në aspektin e investimeve infrastrukturore ende s’ka pasur ndonjë lëvizje madhore, në ndërkohë që mbi 600 milionë para të gatshme rrinë në buxhetin e Republikës së Kosovës. Kjo nga opozita është interpretuar edhe një pazotësi dhe padijeni e Qeverisë për të punuar.