“Dje u takuam, ike pa lamtumirë”: Dy dedikimet prekëse të kolegeve: Të pritëm sot në ndërrimin e pasdites
Gjyljeta Ukella, e cila u vra nga bashkëshorti i saj në Pejë, Edmond Lajqi, është përshkruar si një grua “që e dashuroj jetën, familjen dhe burrin e saj, viktimë e të cilit u bë”.
Kolektivi i Poliklinikës Stomatologjike në Pejë, në një shkrim në Facebook të martën, ka shkruar se sinqeriteti e besnikëria ishin virtyt i Ukellës.
“Sot të pritëm në ndërrimin e pasdites por ti paske ik pa lamtumirë!”, shkroi Behije Vranovci-Ibraj, punonjëse shëndetësore në Spitalin e Pejës, kolege e Ukellës.
“Dje paska qenë takimi ynë i fundit shoqe e dashur. Do t’i ruajmë me mall kujtimet, buzëqeshjen dhe dashurinë qe na dhurove Gjyljeta”, vijon shkrimi prekës në emër të kolektivit të Poliklinikës Stomatologjike në Pejë. “Profesionalizmi, kolegialiteti, humanizmi, sinqeriteti, besnikëria ishin virtyte që të stolisën gjithmonë, përkundër sfidave të jetës! Pusho në parajsë shoqja dhe kolegia jonë Gjyljeta!”.
Ilirjana Zeka, mjeke në Spitalin e Pejës, tha se vrasja tragjike e Gjyljetës “na trishtoj dhe ligështoj të gjithëve në Pejë”.
“Një grua, një nënë që e deshti jetën, familjen dhe burrin e saj u be viktimë e tij. Sa shpejt të gjithë në bëjmë pyetjen pse askush nuk i ndihmoj këtij çifti, pse askush nuk parashikoi një tragjedi të tillë, a duhen edhe me shume vrasje që të vetdijesohemi që rastet e dhunës në familje të jenë prioritet!”.
“Dhe gjithnjë duhet të jenë nën mbikëqyrje dhe mbështetje nga institucionet përgjegjëse. U prehtë në paqe Gjyljeta, gjyl parajse u beftë”.
Në një njoftim në Facebook, edhe Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Pejë shprehu ngushëllimet për familjen e Ukellës, ndërsa e cilësoi atë si një grua punëtore dhe të urtë.
Gjyljeta punonte si asistente në stomatologji, prej 20 vitesh.
“Të tronditur thellë nga vrasja makabre e koleges tonë, punëntores shëndetësore te stomatologjisë të ndjerës Gjyljeta Ukella. E ndjera Gjyljetë per dy dekada shërbeu si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë. Do të mbetet ne kujtimet e secilit koleg për punën dhe dhe urtësinë që e ka karakterizu përsonalitetin e Gjyljetes. U prehshë në parajs! “, thuhet në njoftim.
Ky është rasti i dytë në Kosova brenda disa ditëve. Disa ditë më parë Valon Aliu ka vrarë ish-bashkëshorten e tij Erona Cokli, shkak u bë kujdestaria e fëmijës.