Lajme

Djali kërcënon me thikë prindërit e tij, u 72 orë afat të largohen nga shtëpia

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.

Me një situatë të tillë janë përballur edhe dy prindër në Gjakovë, të cilët kanë denoncuar djalin e tyre për dhunë.

Sipas informacioneve që posedon Sinjali, e gjithë ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e familjes, ku 30-vjeçari dyshohet se me një thikë ka kërcënuar prindërit e tij dhe më pas u ka dhënë atyre afat 72 orë që të largohen nga shtëpia.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ai të hetohet për veprën penale ‘Dhunë në familje’ dhe i njëjti është dërguar në mbajtje.