Lajme

Djali i drejtorit të Bordit të Kompanisë së Ujësjellësit arrestohet për dhunë në familje, dyshohet se e rrahu bashkëshorten

Evidentimi ditor i rasteve të reja të dhunës në familje, është shndërruar në një rutinë të pandashme. Burra që rrahin gratë dhe vajzat e qytetarë që ushtrojnë dhunë ndaj prindërve, janë vetëm disa nga rastet e shpeshta të dhunës brenda familjes në vendin tonë. Për një rast të tillë që dyshohet të ketë ndodhur në Gjakovë, Prokuroria ka nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Çlirim Grezda, djali i drejtorit të Bordit në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit ‘Radoniqi’, Hajdar Grezda.

Ai është denoncuar nga bashkëshortja e tij, e cila është ankuar se Çlirimi e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar lëndime trupore, për çka ka kërkuar edhe ndihmë mjekësore.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Viktima femër kosovare ka informuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari me vendim të prokurorit të shtetit është ndalur në mbajtje. Rasti është duke u hetuar”, tha Elezaj për Sinjalin.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.