Djali dyshohet se vodhi armën zyrtare të vëllait dhe u largua nga shtëpia – gjenden disa letra që la
Rasti i vjedhjes së rëndë që u raportua në Vitomiricë të Pejës të shtunën në mbrëmje ka tronditur ka tronditur familjen që kërkoi ndihmën e Policisë. Djali i tyre, 27-vjeçar po dyshohet se e vodhi armën zyrtare të vëllait të vet dhe u largua nga shtëpia pa një paralajmërim – por i la disa letra. Për fatin e tij s’dihet asgjë, ndërsa Policia tashmë ka nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar detajet e rastit, ndërkohë që kërkimet për ta gjetur të riun po vazhdojnë
Sipas informacioneve të para që posedon Sinjali, familja, gjegjësisht viktima, zyrtar i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), kërkoi ndihmën e Policisë, pasi e zbuloi se i mungonte arma zyrtare e tij.
Zyrtari korrektues dhe djali tjetër i tij polic, ngritën dyshimet se arma mund të jetë vjedhur nga djali/vëllai – në këtë rast i dyshuari, i cili ishte larguar nga shtëpia po atë ditë pa ndonjë paralajmërim.
Siç merr vesh Sinjali, i riu kishte dalë nga shtëpia pasi ishte kthyer në Kosovë dhe kishte lënë disa letra, ku ka shkruar për gjendjen e rëndë emocionale që po kalon.
Ndër të tjera, burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se i njëjti ka paralajmëruar se do t’i bëjë vetes keq, duke shkruar fjalë të rënda që tronditën familjen.
Të shqetësuar përballë kësaj situate, rasti u denoncua në Polici, me ç’rast u ndërmorën veprimet e nevojshme dhe nisën hetimet për gjetjen e të riut.
Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, rasti tashmë është iniciuar, ndërsa akoma nuk është lokalizuar vendndodhja e tij.
Gjatë ditës së djeshme, Policia në Pejë ka njoftuar shkurtimisht për rastin, pa dhënë detaje të tjera.
“Njësitet policore pas pranimit të informatës lidhur me rastin, kanë dalë në vendin e ngjarjes. Lidhur me rastin është informuar e konsultuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.”