Lajme

Dhunohet seksualisht një vajzë e mitur në Podujevë, u gjet duke bashkëjetuar me një 30-vjeçar

Është rritur numri i rasteve të dhunës seksuale, ku viktima janë vajzat e mitura. Këto të fundit shpesh herë largohen nga shtëpia pa dijeninë e familjarëve të tyre dhe shkojnë të bashkëjetojnë me persona të moshës madhore, me të cilët krijojnë kontakte intime.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në qytetin e Podujevës, ku mbrëmë një vajzë e mitur është gjetur duke bashkëjetuar me një 30-vjeçar në Lagjen e Kuvajtit.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se vajza e mitur, e cila ka ngecje në zhvillimin psikik dhe fizik, tri ditë më parë kishte dalë nga shtëpia e saj dhe kishte shkuar tek i dyshuari..

30-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku para hetuesve ka dhënë deklaratën lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.

Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Dhunim’ dhe i njëjti është dërguar në mbajtje, kurse vajza e mitur është dërguar në strehimore.

Kujtojmë që sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, personat që kryejnë marrëdhënie seksuale me persona që janë nën moshën 16-vjeçare, kryejnë vepër penale dhe mund të dënohen me burgim prej 5 deri në 20 vjet.