Dhunohet seksualisht një e mitur në një motel në Ferizaj, i dyshuari publikon aktin në TikTok
Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë gratë të cilat raportojnë në Polici se janë keqpërdorur seksualisht nga persona të panjohur, por shpesh herë të dyshuar janë edhe persona të afërm të tyre.
Një rast i trishtë dyshohet të ketë ndodhur në muajin shtator të vitit të shkuar në Ferizaj, mirëpo viktima e cila është vajzë e mitur, ka denoncuar rastin në Polici tek mbrëmë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një motel në Ferizaj, ku i dyshuari e kishte dërguar viktimën dhe të njëjtën më pas e kishte keqpërdorur seksualisht pa dëshirën e saj.
Bazuar në dëshminë e të miturës, i dyshuari e kishte dërguar atje me dhunë dhe e kërcënonte se do ta vrasë në rast se nuk shkon të bëjë seks me të. Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se i dyshuari aktin që kreu me viktimën e kishte incizuar dhe pamjet i kishte publikuar në rrjetin social TikTok.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore janë vënë në lëvizje që ta arrestojnë të dyshuarin, mirëpo i njëjti nuk është kapur ende dhe sipas familjarëve të tij, ai ndodhet jashtë shtetit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Dhunim’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të arrestohet i dyshuari i cili është shpallur në kërkim policor.