Lajme

Dhunohet seksualisht një 13-vjeçare në një motel, bie në pranga i dyshuari

Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Në shumë raste viktima janë edhe vajzat e mitura, të cilat keqpërdoren seksualisht nga persona të rritur, të cilët përkundër që dinë moshën e tyre të re dhe të ndjeshme, krijojnë raporte intime me to, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë dyshohet të ketë ndodhur në Ferizaj, ku një vajzë e mitur dyshohet të jetë dhunuar seksualisht nga një person.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari dhe 13-vjeçarja kanë shkuar në një motel në fshatin Muhoc, ku kanë kryer marrëdhënie seksuale.

Të gjithë ngjarjen e trishtë e ka diktuar fillimisht daja i viktimës, i cili kishte marrë vesh se e mitura ka krijuar kontakte me një person dhe i njëjti ka denoncuar rastin në Polici.

Palët janë shoqëruar në stacion policor ku kanë dhënë dëshmitë e tyre dhe gjatë intervistimit, 21-vjeçari ka mohuar të ketë kryer marrëdhënie seksuale me të miturën.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.