Lajme

Dhunimi i 10-vjeçares, pranga edhe nënës së përfshirë në rast (VIDEO)

Biseda që pati me një familjar nxori në pah se ishte objekt i dhunës seksuale.

Si rezultat, një 10-vjeçare nga Gjakova identitetin e adresën e së cilës Klani nuk do ta zbulojë shkaku i konfidencialitetit, bashkë me kushëririn e saj, rastin vendosën ta denoncojnë në polici të premten paradite.

Para hetuesve policorë, vajza pohoi se ka kryer disa herë marrëdhënie me persona e në lokacione të ndryshme, por vetëm njërin ka arritur ta identifikojë.

Kjo vuri në lëvizje forcat e rendit që arritën ta arrestojnë atë, por edhe nënën e viktimës si të përfshirë në rast të rëndë.

Mbi Y.V. 36 vjeç rëndon dyshimi se ka kryer veprën penale “dhunimi” teksa e ëma e viktimës V.H. dyshohet për “keqtrajtim apo braktisje të fëmijës”. Ndaj këtyre është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit i cili ka bë edhe kërkesën për caktimin e paraburgimit të cilën e ka caktuar Gjykata Themelore në Gjakovë të shtunën.

Drejtori i Qendrës Sociale në Gjakovë, Dervish Shaqiri, i tha Klanit se nga momenti kur janë njoftuar për rastin kanë vepruar konform kompetencave ku është bërë edhe intervistimi i vajzës në prezencë të tyre e i janë bërë ekzaminimet, për rezultatet e se cilave janë në pritje.

Edhe Ideal Zhaveli, drejtor ekzekutiv në organizata joqeveritare “Activism Roots”, bën thirrje që institucionet të jenë më syhapur në këto raste dhe që autorët të marrin dënimin e merituar.

Hetimet për zbardhjen në plotni të rastit po vazhdojnë e viktima aktualisht është strehuar tek familja e ngushtë, me të cilët edhe ka raportuar rastin.